“Kutia e Verdhë” aplikohet për herë të parë në Kosovë
Komuna e Prishtinës ka filluar zbatimin e shenjëzimit të ri rrugor të njohur ndërkombëtarisht si “Kutia e Verdhë” (Yellow Box Junction) – një masë që synon të përmirësojë rrjedhën e trafikut në udhëkryqe të ngarkuara. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një komunikacioni më efikas dhe i fokusuar në sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Vendosja e shenjave është bërë në rrugën “Agim Ramadani”, një nga arteriet kryesore të qytetit, ku trafiku duket se ka nevojë për organizim më të mirë. Shënimet janë realizuar si pjesë e projektit të rinovimit të asfaltimit dhe shenjëzimit horizontal të kësaj rruge.
Çfarë do të thotë “Kutia e Verdhë”?
Sipas autoriteteve komunale:
- Shoferët nuk duhet të hyjnë në zonën e shënuar me kuti të verdhë, nëse nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të përfunduar kalimin e udhëkryqit.
- Ndalimi brenda zonës është i ndaluar, për të mos bllokuar rrjedhën e trafikut në kryqëzim.
Ky model rrugor është përdorur për herë të parë në vende si Anglia që nga vitet 1960, dhe pritet të ndihmojë në evitimin e “bllokimeve” që shpesh ndodhin gjatë orëve të pikut.
Autoritetet urbane bëjnë thirrje që qytetarët të respektojnë shenjëzimin e ri, me qëllim rritjen e qarkullimit të lirë të automjeteve dhe uljen e bllokimeve në kryqëzime kritike të qytetit.